Ish-ministri i Jashtëm për aktakuzën: Sikur ka një tentativë që të krijohet baraspeshim me krimet e Millosheviçit

Nga A2 CNN
26 Qershor 2020, 11:03 | Kosova
Ish-ministri i Jashtëm për aktakuzën: Sikur ka një

Aktakuza e Gjykatës Speciale për Kosovën për presidentin Thaçi dhe Kadri Veselin, dy nga themeluesit e Uçk-së, të akuzuar për krime lufte, e ka tensionuar edhe më shumë situatën në Prishtinë.

Sipas Arian Starovës, ish-ministër i Jashtëm dhe i Mbrojtjes, “situata është shqetësuese për të gjithë shqiptarët, jo vetëm Kosovën. Drejtësia të bëj punën e vet, por më bën përshtypje që kjo ndodh 3 ditë para një takimi të rëndësishëm në Uashington”.

Starova nënvizon fjalën “e stisur” për aktakuzën, dhe shtjellon qëndrimin e tij duke shtuar se “akuza shumë mirë mund të ishte bërë 3 ditë mbrapa takimit ne SHBA, dhe jo përpara. Kjo nuk është akuzë  e mirëfilltë, duket si përpjekje për të dhënë disa te dhëna,  që të vlerësohen nga Gjykata”.

Sipas tij, edhe pse Kosova si çdo shtet i duhet të luaj sipas rregullave ndërkombëtare, dhe të respektojë vendimet e Gjykatës Speciale, sërish evidentohet një ”tentativë që të krijohet një baraspeshim midis krimet e regjimit të Milloshevicit dhe atyre që konsiderohen si krime kanë ndodhur në Kosovë. Nëse Gjykata merret me veprime luftarake është tjetër gjë, por në qoftë se merret me veprime kriminale të planifikuara, atëherë është e qartë që do t’i cilësoja si të ashtuquajtura, sepse luftëtarët e lirisë në atë kohë, përfshirë personat e akuzuar sot, nuk kishin asnjë plan për krime por për lirinë e vendi të tyre”.

Starova nuk mungon të sulmojë edhe strategjinë europiane në këtë krizë. “Pse vërtitet BE ende me 5 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, a ka politikë unike, nuk ishte Kosova rasti unik? Kjo tregon se politika e BE ka mangësi në koherencë”, thotë Starova për A2, duke shtuar se mosdhënia e vizave Shengen për qytetarët kosovarë, “ndërkohë që qytetet europiane janë mbushur me emigrantë”, ka vetëm një cilësim, “është një turp”.

Starova prononcohet edhe për Kodin Zgjedhor, që duket se ka marrë dakordësimin e palëve. “Nuk më pëlqen drafti final, pavarësisht se është përshëndetur nga ndërkombëtaret. Më duket se me këtë kod zgjedhor ngurtësohet edhe më shumë politika shqiptare rreth 2-3 partive të mëdha. Sistemi duhet të ndryshonte, të kishte mundësi për partitë e vogla, me komisionerë jo politike, dhe mundësisht edhe me dhënien e votës së emigrantëve. Ligj të përsosur nuk ka, por problemi te ne është se preket vullneti i qytetarit. Po mos të ndodhte kjo, edhe ligji i mëparshëm i mirë do të ishte, me disa korrektime në favor të partive të vogla”, thotë Starova. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos