Aktiv1st - Sa pikë ke? - 31 Minuta

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2023, 21:31 | 31 Minuta

Fitorja është objektivi i çdo partie politike në çdo palë zgjedhjeje, aq më shumë e partisë në pushtet që kërkon ta shtrijë atë për një kohë sa më të gjatë. Vija e finishit e çdo gare elektorale janë kutitë e votimit, por mënyra se si të bindësh njerëzit për të të sigluar në fletën e votimit ka bërë që partitë të gjejnë mënyra të cilat janë shumë të vështira për t’i ndarë nëse e kalojnë të lejueshmen apo jo.

Në këtë emision të radhës të “A2 CNN-31 minuta” do të trajtojmë çështjen e aplikacionit “Aktiv1st-i”, e ngritur nga Partia Socialiste për qëllime elektorale si vijimësi e sistemit të patronazhistëve.

Partia Socialiste tregoi në zgjedhjet parlamentare të 2021 se kishte një armatë personash të cilët patronazhonin qytetarët për kalkulime elektorale. Bërja publike e asaj liste qëlloi të ishte në mënyrë jo të ligjshme pasi u ekspozuan të dhënat e rreth 900 mijë qytetarëve, por po aq e dyshimtë ishte fakti se një forcë politike përpunonte të dhënat personale në mënyrë të detajuar.

“Partitë politike janë kontrollues njësoj si gjithë subjekte e tjera pasi përpunon të dhëna personale. Sa më  të më dha të jenë, sa më shumë aktitvitete të zhvillojnë, aq më shumë përpunojnë të dhëna personale. A ka pasur ankesa?! Natyrisht që kemi pasur! Këto përqendrohen kryesisht në periudhën e fushatave përpara zgjedhjeve. Të fundit që kemi pasur që lidhet me një data-bridge tjetër që lidhet me të ashtuquajtrën patronazhisti”, thotë Besnik Dervishi, komisioner për të drejtën e informimit.

Mbarimi i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, fitorja e mandatit të tretë, bëri që maxhoranca të ishte më kreative në mënyrën e saj të komunikimit publik.

Strukturat partiake ngritën aplikacionin aktivist, një platformë e cila shërben për të rritur pëlqimet e postimeve të zyrtarëve të lartë të PS-së në rrjetet sociale. Ndërveprimi nga aplikacioni në rrjetet sociale bën që një qytetar të fokusojë pëlqimet e tij vetëm drejtë Kryeministrit, ministrave pa pasur nevojën që të i kërkojë në rrjetet sociale. Por pse u pa e nevojshme ngritja e një aplikacioni të tillë?

“PS ka theksuar që nga fillimi i mandatit të terë që sfida kryesore do të ishte komunikimi me qytetarët. Pra për të pasur mbështetësit dhe simpatizantët e PS për të parë edhe aktivitetet edhe qëndrimet e drejtuesve të latë të PS dhe kjo nuk ka qenë asnjëherë sekret apo e mbyllur. Ka qenë gjithë kohës e hapur edhe për kuriozët edhe për kundërshtarët sepse në fund të ditës aplikacioni ka një qëllim, të komunikojë drejtë për drejtë me qytetarët për ato që janë zhvillimet, për ato që janë qëndrimet dhe sigurisht ato që janë veprimet e kësaj maxhorance”, thotë deputeti Etien Xhafaj.

Në pamje të parë, ky aplikacion është si një urë komunikimi mes postimeve në rrjeteve sociale dhe pëlqimeve që i jepen, dhe personat më aktiv, marrin një vlerësim me pikë dhe më i pikëzuari, sigurisht që i bie në sy për mirë tek socialistët. Por sërish deri në këtë pikë, kufiri mes të lejuarës dhe të pa lejuarës vijon të jetë lehtësisht i dukshëm. Ai fillon të zbehet kur në mes futet përdorimi me forcë i administratës publike në aplikacionin Aktivist.

“Problemi i këtij aplikacioni është fakti se kush janë përdoruesit. Problemi kryesor është detyrimi i administratës që ta përdorur, detyrimi i administratës që të humbas orë të tjera gjatë orëve të punës për të ndjekur në media sociale ministra apo aktivitete të ndryshme të kryeministrit apo ministrive të ndryshme, dhe problemi kryesor tjetër është përdorimi i këtij aplikacioni për shtrembërimin e perceptimit publik mbi pëlqyeshmërinë e punëve të shtetit, të qeverisë. Në këtë qëndron problemi kryesor që lidhet me këtë aplikacion. Nuk është se ka ndonjë gjë speciale, është një aplikacion që shumë pari të tjera e kanë, por e kanë për bazën e tyre partiake, nuk e kanë për administratën”, thotë Roden Hoxha, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore.

Hoxha tregon për emisionin “31 Minuta” disa raste kur punonjës të caktuar të administratës publike pretendojnë se janë detyruar nga eprorët e tyre për t’u bërë pjesë e aplikacionit “Aktivist”.

“Kemi kontaktuar me mbi 25 persona të cilët janë nëpunës të administratës shtetërore, në pozicione të ndryshme, në institucione të ndryshme, në agjenci të ndryshme, si në ato qendrore ashtu edhe në ato lokale dhe problemi kryesor që kemi parë është detyrimi i tyre për të qenë aktiv në këtë aplikacion. Disa me dëshirë, shumica pa dëshirë dhe problemi qëndron që off the record janë të gjithë të gatshëm të flasin, on the record ekziston një frikë e madhe që ekzistojnë pasoja dytësore kundrejt vendit të tyre të punës, mirëqenies së tyre sociale, nëse ata dalin dhe denoncojnë dhe bëjnë publik këtë problem që po vuajnë, që të jemi realist”, thotë ai.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore në një hulumtim të mëparshëm për çështjen e aplikacionit “Aktiv1st” ka mundur të kontaktojë me një numër të konsiderueshëm punonjësish që shprehen se janë detyruar të bëhen pjesë e saj. Por çfarë thonë ato konkretisht.

Në fillim të muajit, e ka thirrur drejtori dhe e ka pyetur: sa veta ke ti? 25, i ka thëne. Shumë mire, dua 25 (shkarkime të aplikacionit domethënë). Ky i ka thëne po ç’është kjo, si mund t’i detyroj njerëzit? Drejtori i ka thënë – nuk është për diskutim kjo.

Tha që nuk di për shpërblime, por reagimi për mungesë aktivizmi është që mund të mos e kesh vendin të sigurt kur nuk je dhe aq aktiv.

Ne na është kërkuar brenda institucionit të shkruajmë emrat dhe më pas na është kontrolluar nëse kishim ose jo llogari te aplikacioni. Askush nuk e ka refuzuar hapjen e llogarisë se çdo gjë mbahet shënim, madje renditesh live dhe te aplikacioni. Pikët diskutohen nga të gjithë të punësuarit në doganë, nuk mund të vendosësh gishtin vetëm te një.

Citimet janë nga persona që punojnë në dikastere të ndryshme të administratës publike të cilët kanë kërkuar ruajtjen e konfidencialitetit. Gjendur përpara këtyre rasteve, ne i drejtuam një pyetje konkrete Sekretarit Digjital pranë Parisë Socialiste mbi presionet ndaj punonjësve publik.

“A ushtrohet presion ndaj administratës? - Hera e parë që unë kam folur për Aktivist jashtë takimeve me strukturat e PS ka qenë ditën që kemi dalë në konferencë shtypi. Unë nuk jam futur në asnjë institucion për të folur dhe shpërndarë këtë gjë. Tani, të gjitha akuzat e tjera, mund të jenë, duke qenë se listat këtu fabrikohen, akuzat prodhohen, sigurisht mund të nxjerrin dhe akuza të tjera. Por synimi, edhe një herë po e them, është komunikimi”, thotë Etjen Xhafaj.

Por ngritja e një aplikacioni të tillë, ndonëse nga krijuesit shihet si diçka krejt normale, ajo ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve.

“Ne kemi pasur le të themi interes të deklaruar edhe nga donator të ndryshëm, edhe nga organizata ndërkombëtare si për gazetari ashtu edhe për të drejtat e njeriut të cilat e kanë shqyrtuar si çështje dhe e shohin jashtëzakonisht shumë problematike. Madje jemi kontaktuar edhe kemi pasur takime dhe me ambasadën amerikane të cilat kanë treguar një interes jashtëzakonisht shumë të madh mbi punën e bërë jo vetëm nga gazetarë tanë por edhe nga gazetarët e tjerë të cilët e kanë mbuluar si çështje për të parë nëse është problematike apo jo dhe nëse ka nevojë për një ndjekje të vazhdueshme”, thotë Roden Hoxha.

Përdorimi i administratës publike për qëllime elektorale qëlloi të ishte edhe një nga arsyet se përse ODIHR kërkoi të sillte një armatë monitoruesish për vendoret e 14 majit.

Shumica e bashkëpunëtorëve të ODIHR-it ngritën shqetësime për praktikën e mundshme të përhapur të keqpërdorimit të burimeve administrative nga partia në pushtet, duke përfshirë presionin ndaj punonjësve publikë

ODIHR, 20 shkurt 2022.

Për ta bërë më të kuptueshme rëndësinë e imponimit të këtyre pëlqimeve në rrjetet sociale, duhet të shohim impaktin që ato kanë pasur në zgjedhjet e shkuara në Shqipëri.

“Jo vetëm në zgjedhje por edhe pas tyre, kemi vënë re që shumë prej politikanëve shqiptar, shumicën e ndjekësve e personave që i pëlqenin e tyre i kishin, ose profile false ose profile të palidhura me realitetin shqiptar, tashmë ne mendojmë se është bërë e panevojshme që këta politikanë të angazhohen në clikcfarms apo profile false. Kur vjen puna kanë një administratë të tërë e cila detyrohet që t’i ndjekë që i pëlqejë, që të jetë aktive dhe në fund fare të shtrembërojë pëlqimin publik mbi pëlqyeshmërinë e punës të qeverisë”, thotë Roden Hoxha.

Sigurisht politikanët shqiptar nuk janë blogerë që klikimet në rrjete sociale t’i përkthejnë në të ardhura. Ata janë politikanë dhe në politikë, fama të çon më pranë pushtetit. “Ne nuk besojmë që ky aplikaicon është ndërtuar brenda pak muajsh. Sistemi i tij operacional, për mbledhjen e të dhënave, për kalkulimin, për nxjerrjen e statistikave, për nxjerrjen e atyre tabelave të famshme që qarkullojnë, kërkon një mund jashtëzakonisht të madh dhe ne besojmë që ky aplikacion është ndërtuar pikërisht, nuk po them manipuluar, por për të pasur një ndikim në perceptimin publik gjatë zgjedhjeve të ardhshme, sidmos për sa i përket perceptimit publik në mediat sociale ku sot mbi 99% e shqiptarëve janë aktiv në një media apo në tjetër, si në Instagram, si në TikTok si në Facebook”, thotë Hoxha.

Por Partia në pushtet ka një qasje krejt tjetër. Sipas saj, aplikacioni është thjeshtëzim i komunikimit dhe jo manipulim i perceptimit publik nëpërmjet presionit ndaj administratës publike. “Aplikacioni po baltoset për të intimiduar mbështetës të Partisë Socialiste dhe në qoftë se PS do të kishte ndonjë synim për ta bërë ketë, pse do të krijohej aplikacioni kur t’i sot mund t’i shikosh në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë në Instagram, qoftë në Facebook dhe të nxjerrësh mbështetësit e kundërshtarit dhe ti dënosh siç flitet këtu apo të vlerësosh të tutë. Dhe ka tani palë zgjedhje që flitet për presion që iu bë administratës për shkarkim nga puna dhe nuk kemi asnjë rast kur është shkarkuar dikush nga puna”, thotë Etjen Xhafaj.

Baltosje apo jo, ky aplikacion shihet me shumë skepticizëm sa i takon impaktit që mund të ketë në zgjedhjet vendore, dhe sa mund të ndikojë në raportin e OSBE-ODIHR që është edhe vlerësuesi i gjithë pranuar i zgjedhjeve në Shqipëri. “Besoj se do të jetë një notë tejet negative për Shqipërinë, jo vetëm përdorimi i këtij aplikacioni por edhe metodat të ndryshëm për përdorimit të mediave sociale  për shtrembërimin e perceptimit publik dhe drejtimin e atij publiku të pavendosur drejt njërës apo palës tjetër. Praktikisht, në terma ligjore, përdorimi i këtij aplikacioni nga nëpunës dhe institucione publike, është përdorimi i burimeve publike gjatë fushatës. Automatikisht është edhe një notë negative por edhe shkelje e ligjit zgjedhor”, thotë Hoxha.

Aktiv1st u bë kryefjalë e lajmeve kryesore të ditës kur në rrjet doli një listë me të dhëna të cilat u pretenduan se ishin nga aplikacioni socialist.

“Ajo rrjedhja e parë është një listë e vjetër e pagave. Aplikacioni nuk kërkon as vendin e punës, nuk kërkon as të dhëna të identifikimit personal, kërkon vetëm ato që janë bazike për konfirmimin që përdoruesit nuk është një bot, pra ku çohet një kod dhe nëpërmjet atij kodi përfundohet le të themi regjistrimi në aplikacion. Së dyti, fakti që ato janë shpërndarë gjerësisht, ishte kundër të gjithë ligjeve normale të ruajtjes së të dhënave sepse minimalisht duhet të ishin verifikuar nëse ishin apo jo ajo që pretendohej dhe në asnjë rast nuk ishte një gjë e tillë”, thotë Xhafaj.

Dalja e këtyre të dhënave ka vënë në lëvizje edhe Komisionerin për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale Besnik Dervishi. “Dhe kur disa të dhëna janë siguruar në mënyrë jo të ligjshme, kushdo që i përhap ato në mënyre të paligjshme, kryen të të njëjtën shkelje si ai që i ka nxjerr ato nga burimi në mënyrë jo të ligjshme. Ne e kemi administruar si provë në dosje, jemi duke e shqyrtuar, por më tepër nuk ngjan me atë çfarë pretendohet nga aplikacioni aktivisti. Më tepër ngjanë me disa data baza të përpunuara në mënyrë jo të ligjshme, të përpunuara keq për hir të së vërtetës dhe natyrisht nëse ne do të gjejmë element dhe prova të nevojshme do të veprojmë edhe gjatë procesit të hetimit administrativ”, thotë ai.

Të dhëna personale të dala nga aplikacioni apo jo, bërja e tyre e publike në mënyrë të paligjshme apo jo, janë subjekt i hetimeve nga organet ligjzbatuese. Por koha ne të cilën lind ky debat vjen në një kohë kur vendi është në prag të fushatës elektorale për vendoret e 14 majit për të cilat Komisioneri bën apel për ruajtjen e tyre.

“Ata që ushqejnë partitë politike, janë njerëzit, janë qytetarët, janë anëtarët e forcave politike, janë simpatizantët, janë përkrahësit janë qytetarët e thjeshtë. Qytetarët e thjeshte nuk kanë gjë më të shtrenjtë se sa të dhënave të tyre personale. Në respekt të mbështetjes që qytetarët i japin partive politike, meritojnë një respekt mjaft të madh në mbroje të të dhënave personale të tyre”, thotë Dervishi.

Vorbulla e krijuar përpara zgjedhjeve ka përfshirë tani më opinionin publik. Aplikacioni i “Aktiv1st” tani më është ndër më të përdorurit, nga persona me dëshirë apo pa dëshirë, impaktin e të cilin do ta shohim me nisjen e fushatës elektorale të dhënat e deritanishme tregojnë se polarizimi dhe akuzat politike për përdorim të administratës zgjedhore do të vijojnë edhe më fort se sa patronazhistët e 2021. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos