
Rreth 12 tonë akullore me përmbajtje kancerogjene u shit në tregun shqiptar, duke rizgjuar shqetësimin për sigurinë ushqimore në vend. Autoriteti Shqiptar i Ushqimit njoftoi se nga kontrollet gjeti edhe 16 tonë akullore të tjera me përmbajtje të oksidit të etilenit, të shpërndara në treg dhe 20 tonë të magazinuara.
Por sa e dëmshme është kjo lëndë për konsumatorin?
“Oksidi i etilenit është lëndë mjaft e rrezikshme, kancerogjene, dëmton ADN-në, riprodhimin dhe shkakton shumë probleme në shëndetin e konsumatorëve. Organizatat e BE dhe KE e kanë ndaluar këtë produkt në ushqime që në 2012 dhe e ndalon kategorikisht përdorimin e tij”, shprehet Granit Sokoli.
Me shqetësim shihet edhe reagimi i AKU-së, që ndonëse “Alertin” e kishte marrë në fundin e muajit korrik, reagimin dhe informacionin për publikun e ndau më shumë se tra javë më pas.
“Të nesërmen duhet të kishte njoftuar konsumatorin që X produkt të mos konsumohen nëse gjenden në markete. Kjo do të ishte detyra e parë e AKU-së”.
Përmbajtja e oksidit të etilenit në sasi të konsiderueshme u konstatua edhe në shtete të tjera, përfshirë vendet e Bashkimit Europian. (A2 Televizion)