Akuza për mungesë platforme, përplasje qeveri-opozitë për dialogun me Serbinë

Nga A2 CNN
23 Qershor 2021, 16:43 | Kosova
Akuza për mungesë platforme, përplasje qeveri-opozitë

“Kapitulli i ri i dialogut Kosovë-Serbi” bëri bashkë qeverinë dhe opozitën në Prishtinë. Kjo solli përplasje mes palëve në konferencën e Institutit Demokratik të Kosovës. Për Lëvizjen Vetëvendosje, marrëveshjet e kaluara janë të dëmshme për vendin dhe krahas propozimeve të reja, vë në dyshim nëse kjo mund të quhet fazë finale e dialogut.

“Tash e kemi një ri-konfirmim të qëndrimit të Serbisë që duhet të kemi kujdes edhe kur themi se jemi në fazën finale të dialogut. A dëshirojmë finale të dialogut me një president që thotë se nuk e njoh pavarësinë e Kosovës, ku kryesorja dhe përmbajtjesorja është njohja e ndërsjellët?”, shprehet Mimoza Kusari Lila, shefe e grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Partia opozitarea kuzojnë qeverinë se po merr pjesë në dialog pa përgatitjen e nevojshme.

“Nuk ka një agjendë, e cila mund të diskutohej ndërmjet partive në pushtet dhe partive opozitare. E shoh një qasje të gabuar të pikënisjes së qeverisë sonë. Kur jemi te njohja, unë nuk besoj që qëllimi jonë final duhet të jetë njohja Kosovë-Serbi. Këtu është gabimi që ne e bëjmë, sepse edhe nëse ajo ndodh dhe pengesën e kemi në Këshill të Sigurimit nga Rusia dhe Kina, realisht Republika jonë nuk po arrin të përmbyllë subjektivitetin ndërkombëtar”, u shpreh Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK.

 “Duket se ka një mos përgatitje për këtë temë, sikur ka improvizime dhe taktizime në hapa, por jo pozicion të qartë të Kosovës për këtë proces. Qasja fillestare tregon për qasjen jo serioze që ka kjo qeveri.”, theksoi Dritan Selmanaj, deputet i LDK.

 “Kryeministri Kurti nuk ka strategji, ka taktizim, aspekti strategjik mungon, ka taktika. Në aspektin taktik ka vepruar mençur duke çuar katër pika, pasi shkoi edhe ai me propozim. Mirëpo, në dialog me fasilitues si BE nuk është taktika, por përmbajtja dhe strategjia, e cila ishte katastrofë. Kërkoi nga CEFTA të bëhet SEFTA, e që në esencë është mini-Shengen.”, u shpreh Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK.

Instituti Demokratik I Kosovës nuk sheh në horizont një marrëveshje të shpejtë dhe përfundimtare me Serbinë.

“Që nga fillimi i procesit, Kosova dhe Serbia e kanë përcjellë ndryshe normalizimin, duket se edhe në këtë fazë Kosova dhe Serbia kanë definicione të ndryshme se si duhet të duket ajo marrëveshja përfundimtare. Prandaj edhe arritja e kësaj marrëveshje po duket shumë e vështirë dhe ende larg.”, shprehet Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Pjesë e kësaj konference për dialogun Kosovë-Serbi, ishte edhe ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Thomas Kelly, i cili kërkoi një rol më aktiv të Kuvendit në këtë proces. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos