Deputetët kanë dështuar të konstituojnë kuvendin edhe në seancën e fundit para hyrjes në fuqi të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Kjo ka qenë përpjekja e dytë brenda një dite, ku sërish është hedhur në votim komisioni për votim të fshehtë, e cila nuk mori mbështetjen e partive të opozitës së deritashme. Deputetëve të këtyre partive politike u është ndaluar mikrofoni, teksa të njëjtit kanë vazhduar fjalën e tyre duke u përplasur me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në sallë kanë qenë të pranishëm 103 deputetë, shkruan A2 CNN.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku kërkoi nga kryesuesi i seancës konstiutive, Avni Dehari që të kthehet në rendin e ditës.
Çitaku: “Imagjinonojeni sikur mjekët, infermierët, mësuesit, policët të mos paraqiteshin në vendin e punës...”
Dehari: “Regjia le të ndërpres mikrofonin, mos të keqpërdoret rregullorja, nuk ka debat në seancën konstituive. Themelojeni seancën, pastaj edhe thirrni sa të doni.”
Edhe deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami i është ndalur mikrofoni, edhe pse ajo e vazhdoi fjalën e saj duke u përplasur me deputetët e LVV-së.
“Kryesues mundesh menjëherë me ndal mikrofonin. Seriozisht, 44 herë deputetët kanë thënë jo për votim të fshehtë. Ju jeni frikacak. 44 herë ju kemi thënë jo. 102 ditë Kosova nuk ka kuvend, nuk ka qeveri. A e dini kush po punon? Tenderat njëburimor...”, ka thënë ajo.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari tha se po e ndërpren seancën pa konstituim të Kuvendit, shkruan A2 CNN.
“56 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka, abstenim nuk ka. Të nderuara deputete, të nderuar deputetë, të nderuar të pranishëm, me gjitha përpjekjet e mia me qëllim të konstituimit të Kuvendit, për shkak të mungesës së vullnetit të deputetëve, nuk u arrit konstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Meqë tahsmë kemi një vendim nga Gjykata Kushtetuese, për vendosjen e masës së përkohshme e cila hyn në fuqi me 27 korrik deri më 8 gusht, siç thotë edhe vendimi ndalohet çfarëdo veprimi apo vendimi nga ana e deputetëve, andaj deri në një vendim tjetër apo vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, po e ndërpres seancën”, ka thënë Dehari.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme nga data 27 korrik deri më 8 gusht, ku deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo veprim e vendim që lidhet me konstituim të Kuvendit.
(A2 Televizion)