Akuza për zyrtaren e kryeministrisë, Mandia: Doli kundër shtetit shqiptar në gjyqet ndërkombëtare

Nga A2 CNN
16 Prill 2023, 12:56 | Politikë
Akuza për zyrtaren e kryeministrisë, Mandia: Doli kundër shtetit

Sekretarja për Antikorrupsion në PD-në e Rithemelimit, Ledina Mandia, denoncoi rastin e zyrtares së lartë të kryeministrisë, Elira Kokona, për të cilën thotë se ka ushtruar detyrën e saj të mëparshme shtetërore në konflikt interesi. 

Në një deklaratë për shtyp nga selia ePD-së, Mandia u shpreh se në vitin 2014, Kokona ishte emëruar Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, ndërkohë kishte vijuar aktivitetin privat si avokate kundër shtetit shqiptar në më shumë se 15 raste në Strasburge Arbitrazh.

 “Zonja Kokona, as formalisht nuk hoqi dorë nga ushtrimi i detyrës së avokatit privat dhe në asnjë rast nuk njoftoi gjykatat në lidhje me pozicionin e saj në nivelet më të larta të administratës së shtetit shqiptar,” u shpreh Mandia.

Përballë këtyre të dhënave, Mandia i bëri thirrje organeve të drejtësisë dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit që të veprojnë.

Dikur Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, dhe sot Zv/Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave, Elira Kokona referuar rasteve të cilat janë publike është e qartë që ka qenë në kushtet e shpërdorimit të detyrës.

Sipas Mandias, gjatë kësaj periudhe, zyrtarja e lartë ka ndikuar që klientët e saj të përfitonin edhe kompensim të plotë nga shteti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos