
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar përmes një deklarate për shtyp pas akuzave të ngritura së fundmi nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj tij dhe presidentit Hashim Thaçi.
Veseli i konsideroi akuzat të pabazuara duke shtuar se historia e luftës së UÇK nuk mund të rishkruhet.
“Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Po ashtu, nuk ka kurrfarë baze për pretendimet për pengim të punës së gjykatës. Një tjetër shqetësim është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij Prokurori janë krejtësisht politike. Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi. Asnjë prokuror, asnjëherë nuk do të duhej të lejonte që vendimet e tij të udhëhiqen nga motive politike.
Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se nuk do të lejoj që ky Prokuror dhe asnjë tjetër si ai, ta njollosë në këtë mënyrë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne kemi qenë të detyruar që ta mbrojmë veten dhe vendin tonë. Dhe do ta bëjmë sërish. Luftëtarët e lirisë, që në vitet 1998 e 1999 morën armët në duar për të mbrojtur popullin, familjet, shtëpitë dhe nderin e tyre, ndaj përpjekjeve gjenocidale të Serbisë, meritojnë vetëm nderim e lartësim dhe jo fyerje në këtë mënyrë”, u shpreh Veseli. (A2 Televizion)