
Prokuroria Speciale publikoi aktakuzat e ngritura ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ku ata akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte.
Menjëherë pas këtij lajmi ka reaguar edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Me anë të një statusi në Facebook kreu i shtetit shkruan se “ne besojmë në pafajësinë e presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre”.
“Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj evropiane dhe të rajonit tonë.
Ne besojmë në pafajësinë e presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre.
Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri”, shkruan Meta.
Ndërkohë, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili shkruan se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës. “Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Milloshevicit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e presidentit Thaçi, kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë”. (A2 Televizion)