
Kampi i Al Hawl-it në Siri, nga ku u shpëtua Alvini 11-vjeçar, e ku jetojnë mijëra fëmijë të tjerë, po bëhet inkubatori perfekt për brezin e ardhshëm të ekstremistëve të ISIS, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë.
Rreth 74 mijë gra e fëmijë të luftëtarëve të Shtetit Islamik, qëndrojnë brenda kampit gjigand në periferi të qytetit të Al Hawl, i kontrolluar nga vetëm pak ushtarë të guximshëm kurdë.
Kampi rrethohet nga një gardh dhe monitorohet nga forcat demokratike siriane dhe një forcë policore lokale e njohur si Asayish. Por përveç kallashnikovëve të tyre, si rojet ashtu edhe popullsia brenda kampit e di se balancën e vërtetë të pushtetit e mban ISIS.
Plagosjet me thika mes dhjetëra vejushave janë diçka e zakonshme, ndërsa flitet se ato urdhërojnë sulme kundër rojeve, djegin tenda dhe përgatisin bomba nga materiale bazike. Videoja e një fëmije jo më shumë se 10-vjeçar, që zotohet të vrasë një gazetar, po bën xhiron e rrjetit.
Qyteti i Al Howl-it është pjesë e të ashtuquajturit rajoni Roxhava, që përfaqëson ëndrrën e kurdëve për pavarësi. Pozicionohet menjëherë pas rripit prej 32 km, ku ushtria turke dhe forcat ruse morën kontrollin pak javë më parë, e ku synohet krijimi i një zone të sigurtë.
Kontrollohet ende nga kurdët, por ofensiva turke dobësoi ndjeshëm pozitat e tyre. Shumë prej forcave YPG që mbikëqyrnin kampet e familjarëve të ISIS, u larguan drejt zonave të luftës, duke lënë boshllëqe të rrezikshme që besohet të jenë shfrytëzuar nga ekstremistët. (A2 Televizion)