Alarmi i ISHP, refuzimi i vaksinës së fruth-rubeolës kërcenim për fëmijët

Nga A2 CNN
3 Korrik 2023, 16:02 | Sociale
Alarmi i ISHP, refuzimi i vaksinës së fruth-rubeolës

Pas pandemisë e gjithë bota po përballet me rrezikun e rikthimit të disa sëmundjeve infektive për shkak të neglizhencës së vaksinave të kalendarit. Përjashtim nuk bën as Shqipëria.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik ngrenë alarmin për uljen e vaksinimit kundër fruthit, rubeolës dhe shytave në moshën 1 vjeç. Dy raste me fruth janë konstatuar këtë vit në dy persona të rritur të pavaksinuar.

Fatmirësisht nuk pati humbje jete dhe as përhapje të sëmundjes. Por fillimi i sezonit turistik, hyrjet dhe daljet e popullatës në verë shtojnë rrezikun për përhapjen e këtyre sëmundjeve infektive ne grupet e pavaksinuara.

Silva Bino tregon edhe qytetet më problematike në vend për moskryerjen e vaksinës së fruth-Rubeolës, kryesuar nga Tirana. Shefja për sëmundjet infektive në ISHP thotë se Fruthi është një sëmundje shumë më e rrezikshme së gripi dhe Covid-19.

Ajo shkakton komplikacione, por ka raste edhe humbje jete të fëmijës. Po kaq rrezikshme është edhe rubeola tek nënat e pavaksinuara të cilat sjellin në jetë fëmijë me probleme serioze. Vala e fundit e fruthit me të cilën u përball Shqipëria ishte ajo e vitit 2018, valë që preku fëmijë të mitur të pavaksinuar duke shkaktuar edhe humbje jete.

Nga 95% që ka qenë mbulesa vaksinale ndaj fruth-rubeolës ajo ka zbritur në 89%, një shifër alarmante për sistemin shëndetësor. Bino zgjedh të theksojë edhe një herë se të gjitha studimet kanë hedhur poshtë hamendësimet se vaksina kundër fruth-rubeolës nxit autizmin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos