
Qeveria ka miratuar vendimin për të dhënë bursa të barasvlershme me pagën minimale për studentët që do të studiojnë në programet të shpallura prioritare nga ministria e Arsimit.
Sipas këtij vendimi, studentët që do të përfitojnë bursat, pas diplomimit kanë detyrimin që të punojnë në Shqipëri për tre vite.
“Aktualisht, sipas vendimit që është në fuqi, kemi shpallur një listë të programeve prioritare, siç janë bujqësia, inxhinieria, turizmi, mësuesia dhe ndërkohë të gjithë ata maturantë që kanë mesatare 8,5 dhe zgjedhin një nga këto programe përfitojnë një bursë sa paga minimale çdo muaj. Detyrimi i tyre është që të qëndrojnë tre vite të japin kontribut për vendin”, tha ministrja e Arsimit, Evis Kushi, në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë.
Të njëjtën bursë e përfitojnë edhe studentët ekselentë, që janë me të gjitha dhjeta në maturë dhe kanë marrë notën 10 në të katërta provimet e maturës, ashtu sikurse ata që fitojnë olimpiada ndërkombëtare, shtoi Kushi.
“Kuotat do të ndahen sipas universiteteve, në varësi të numrit të studentëve dhe programeve që kanë. Hiqet kriteri 8,5 i mesatares për të gjithë ata që përfitojnë bursa. Sepse sidomos në disa programe, siç janë ato të bujqësisë, mund të jetë i suksesshëm për t’u finalizuar me diplomim dhe të japë kontribut për vendin”, tha ministrja. (A2 Televizion)