Alarmi në SHBA, mediat: Nju Jorku, më keq se Wuhani apo Lombardia

Nga A2 CNN
28 Mars 2020, 16:50 | Bota
Alarmi në SHBA, mediat: Nju Jorku, më keq se Wuhani apo Lombardia

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konfirmohen gjithnjë e më tepër si epiqendër e pandemisë koronavirus. Numri i të prekurve i ka tejkaluar 100 000, më shumë se çdo shtet tjetër i botës, ndërsa Nju Jorku paraqitet si qyteti më i goditur.

Përballë emergjencës shëndetësore dhe rasteve gjithnjë e në rritje, mediat amerikane lëshojnë një alarm shumë serioz. Nëse niveli i përhapjes do të vijojë në ritme kaq të larta, Nju Jorku mund të përjetojë një pandemi më të ashpër se Wuhani në Kinë apo Lombardia në Itali. Kjo raportohet nga gazeta “New York Times”, sipas së cilës. “Molla e madhe” ka patur më pak sukses në frenimin e rasteve të reja krahasuar me Wuhanin apo rajonin italian.

Media tjetër amerikane e qytetit që nuk fle kurrë, “New York Post”, merret më shumë me statistikat zyrtare: koronavirusi vret në Nju Jork një person çdo 17 minuta. Përtej kësaj, sistemi shëndetësor në këtë qytet po shkon drejt kolapsit. Guvernatori Andrew Cuomo ka paralajmëruar shpeshherë që po mbarojnë shtretërit si dhe pajisjet mbrojtëse dhe ato të përkujdesjes nuk mjaftojnë.

Për të përballuar krizën shëndetësore, Presidenti Donald Trump urdhëroi “General Motors” që të prodhojë respiratorë në vend të automjeteve: “Kemi shpërndarë mijëra prej tyre, por në 100 ditët e ardhshme do të prodhojmë mbi 100 mijë njësi shtesë. Me pak fjalë, do të kemi 3 herë më shumë respiratorë se sa prodhojmë në një vit në Shtetet e Bashkuara”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë aktivizoi ditë më parë Aktin e Prodhimit për Mbrojtjen, që i lejon atij të detyrojë kompanitë të prodhojnë produkte për mbrojtjen kombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos