Aleanca për mbrojtjen e Butrintit kundërshton projektin e menaxhimit të qyteti antik

Nga A2 CNN
21 Maj 2022, 19:45 | Aktualitet
Aleanca për mbrojtjen e Butrintit kundërshton projektin e menaxhimit

Pas Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit krijohet një tjetër për mbrojtjen e parkut arkeologjik të Butrintit. Shoqëria civile dhe studiues, historianë e akademikë që janë bashkë në një pikë të vetme, atë të kundërshtimit të menaxhimit të Butrintit nga privati, janë bërë bashkë.

Fjala e parë i takoi arkeologëve që për vite kanë punuar aty e që herë pas here kur cenohej diçka historike kanë ngritur zërin.

“Ligji me skandaloz në Europë është ai i vitit 2018. Esenca është se këtu mund të fitojmë me shumë pare, një koncept amerikan ku nuk di as çfarë përbën Butrinti për kulturën e vendit, dhe qeveria ia jep”, thonë arkeologët Apollon Baçe dhe Neritan Ceka.

Plani i menaxhimit për Butrintin konsiston në menaxhimin e tij nga një bord prej 5 anëtarësh, ku dy anëtarë janë të ministrisë së Kulturës, dy të tjerë të Fondit Amerikan të Zhvillimit dhe një anëtar tjetër neutral, që sipas ministres Margariti, është Richard Hodges, një historian britanik në shkrimet e të cilit Butrinti konsiderohet si pjesë e kulturës greke.

Diçka që për disa nga historianët tanë e bën këtë anëtar jo neutral dhe në kundërshtim të mbrojtjes së vlerave kulturore shqiptare.

“Plani që po bëhet nuk po them se është antishqiptar por të paktën jo shqiptar. Kemi vetëm Richard Hodges, Richard Hodges... nuk ka asnjë autor shqiptar, madje as Ugolinin, as Hasan Cekën që e mbrojti, madje thotë që themelues i parkut të Butrintit është Richard Hodges, që është një rrenë e madhe”, deklaroi Neritan Ceka.  

 Ndërkohë, plani i menaxhimit të Butrintit i paraqitur nga ministrja Margariti ka kaluar në të gjitha komisionet dhe pritet të paraqitet në parlament. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos