
Udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell, i Partisë Republikane, të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka uruar Joe Biden dhe nënpresidenten e zgjedhur Kamala Harris për fitoren e tyre në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke i dhënë fund heshtjes së gjatë për rezultatin e garës presidenciale.
Senatori McConnell foli pasi kolegji zgjedhor konfirmoi zyrtarisht fitoren e z. Biden. Demokrati fitoi 306 vota të kolegjit elektoral kundrejt 232 të z. Trump.
Në fjalimin e tij, prej afro 10 minutash, z.McConnell vlerësoi presidentin republikan Donald Trump, dhe uroi Biden: "Sot, dua të përgëzoj presidentin e zgjedhur Joe Biden", duke shtuar se zoti Biden “i është përkushtuar shërbimit publik për shumë vjet".
Senatori McConnell tha se kishte shpresuar për një "rezultat tjetër" në zgjedhjet e 3 nëntorit, por shtoi se, "të gjithë amerikanët mund të krenohen që vendi ynë për herë të parë ka një nënpresidente të zgjedhur”.
Që nga fillimi i nëntorit, z. McConnell kishte shpërfillur presionin për të njohur fitoren e zotit Biden, duke thënë se presidenti Trump kishte të drejtën të ndërmerrte sfida ligjore ndaj rezultatit të zgjedhjeve.
Të hënën, Kolegji Zgjedhor konfirmoi rezultatet që ishin të qarta që nga 7 nëntori, sipas së cilave presidenti Trump nuk kishte asnjë shans për të fituar zgjedhjet, pavarësisht pretendimeve të tij të përsëritura, për mashtrime zgjedhore. Presidenti Trump ende refuzon të pranojë rezultatin, duke pasur pretendime të pabazuara për mashtrim.
Marrëdhëniet me Senatin, aktualisht të kontrolluara nga republikanët, do të jenë thelbësore për presidencën e z. Biden. (A2 Televizion)