
Ilir Alimehmeti, epidemiolog, anëtar i Akademisë së Shkencave, ishte i ftuar në Absolut 4 nga ku komentoi masat e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Epidemiologu theksoi se shifrat aktuale në Shqipëri janë më të ulëta krahasuar me të gjitha shtetet e Bashkimit Europian dhe për këtë, Alimehmeti tha se priste që ora policore të zgjerohej më tej.
“Shumica dërrmuese e masave qëndrojnë. Por, atje ku ka grumbullime, maska është e këshillueshme. Duhet të evitohet grumbullimi, në të kundër, të përdoret maska. Po prisja një liri më të madhe në këtë drejtim.
Shifrat janë të ulëta. Incidenca dyjavore për 100 mijë është diku te 14. Kjo është një shifër shumë e ulët, më e ulëta në një vit, nëse nuk gabohem. Kjo tregon se virusi qarkullon shumë pak. Jemi edhe të sigurt që kjo shifër është e vërtetë, pasi tashmë bëjmë nga 2000-3000 teste në ditë. Për të bërë një krahasim, për të kuptuar se ku qëndrojmë, Këshilli i kryeministrave të BE vendosi si kriter për një situatë të quajtur relativisht të mirë shifrën 75 për 100 mijë banorë, ne e kemi 14. Të gjitha shtetet e BE kanë më të lartë se kjo. Jemi shumë herë më pak. Spanja që e ka 160, orarin e kufizimit të lëvizjes e ka në orën 12:00 të natës”, tha Alimehmeti. (A2 Televizion)