
"Duhet të presim raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhejt e 25 prillit në Shqipëri, por në thelb raporti tregon disa përmirësime". Kështu u shpreh nga Korça ambasadori i OSBE-së në vendin tonë Vincezo Del Monaco, sipas të cilit ODIHR nuk bën certifikim të procesit, por vëzhgim të procesit.
"ODIHR nuk bën certifikim të procesit, bën vëzhgim të procesit, ne duhet të presim të dalë raporti përfundimtar sepse në atë mënyrë do të kemi përfundime më racionale. Në raportin e ndërmjetëm të ODIHR përmenden disa gjëra. Në thelb raporti tregon disa përmirësime. Ne si prezencë e OSBE-së në Shqipëri kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë përpara zgjedhjeve edhe me partitë politike edhe me KQZ dhe mendoj që kjo është diçka inkurajuese. Ne lançuam edhe një fushatë ndërgjegjësuese që rinia të merrte pjesë në zgjedhje dhe tema e rinisë është një nga temat që diskutova me kryetarin e bashkisë. Mbikëqyrja është diçka tjetër dhe kjo bëhet nga ODIHR".
I pyetur se a duhet të bëhet tani ndryshimi i anëtarëve të AMA-s, ambasadori u shpreh se mbështet qasjet transparente dhe të hapura kur bëhet fjalë për reformat.
"Unë mbështes qasje transparente dhe të hapura kur flasim për reformat dhe media është një prej fushave të rëndësishme." (A2 Televizion)