Ambasadori rus në SHBA: Uashingtoni kërkon largimin e 24 diplomatëve

Nga A2 CNN
3 Gusht 2021, 07:30 | Bota
Ambasadori rus në SHBA: Uashingtoni kërkon largimin e 24

Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, tha se Uashingtoni i kishte kërkuar 24 diplomatëve rusë të largohen nga vendi deri më 3 shtator pasi skadojnë vizat e tyre. Sipas tij, Uashingtoni i ka ashpërsuar papritur procedurat e lëshimit të vizave.

"Pothuajse të gjithë ata do të largohen pa u zëvendësuar sepse Uashingtoni i ka ashpërsuar papritur procedurat e lëshimit të vizave", tha Antonov në një intervistë me revistën National Interest të botuar të dielën.

Por kjo deklaratë e ambasadorit rus u kundërshtua nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Ned Price, i cili tha se përshkrimi i situatës nga Antonov ku përfshihen 24 diplomatë rusë me viza të skaduara amerikane, është i pasaktë.

Në një konferencë shtypi, zëdhënësi tha se diplomatët rusë "mund të aplikojnë për një zgjatje" të vizave të tyre dhe "aplikimet e tilla shqyrtohen rast pas rasti".

Moska dhe Uashingtoni kanë pasur prej kohësh mosmarrëveshje të ndryshme për një sërë çështjesh dhe që u përkeqësuan më tej pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se besonte se presidenti rus Vladimir Putin ishte një vrasës.

Tensionet u zbutën disi pasi presidenti Biden takoi presidenti Putin për bisedime më 16 qershor, të cilat çuan në kthimin e parave të disa investitorëve të huaj në bonot e thesarit të qeverisë ruse.

Ambasadori Antonov tha gjithashtu se ai shpresonte që dialogu i filluar kohët e fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mbi çështjet e sigurisë kibernetike do të vazhdojë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos