
Qyteti turistik i Ulqinit në Mal të Zi shpreson të ketë një sezon të mbarë veror.
Dhe këtë shpresë e ka nga sinjalet që ka marrë me prenotimet, me çmimet dhe natyrisht edhe me mikpriktjen e ulqinakëve. Drejtori i Turizimit në Ulqin tregon avantazhet që, sipas tij, do ta bëjnë Ulqinin një vend të preferuar për vizitorët.
Por, cila është gjeografia e turistëve që vizitojnë Ulqinin dhe cilët janë ata që i rikthehen këtij qyteti turistik?
“Pas turistëve nga Kosova, numrin më të madh e kanë shënuar ata nga Serbia, Maqedonia e Veriut e më pas Shqipëria. Na gëzon fakti që janë kthyer edhe gjermanët, polakët dhe francezët”, tha Gëzim Hajdinaga, drejtor i Turizmit të Ulqinit.
Edhe në Ulqin, projekti i ndërtimit të një ure në Lumin Buna për lidhjen e Ulqinit me Velipojën, ka ngjallur entuziazëm dhe drejtori i Turizmit e shikon këtë projekt me mjaft vlera, si për Ulqinin, ashtu edhe për Velipojën.
Ashtu si çdo qytet i vogël turistik, infrastruktura rrugore, problemet me trafikun dhe parkimin janë prezente, por që ulqinakët përpiqen t’i amortizojnë me mikpritjen dhe ofrimin e kushteve sa më të mira për vizitoret. (A2 Televizion)