Për herë të parë në historinë 40-vjeçare të Partisë së Gjelbër, ambientalistët gjermanë kanë njoftuar një kandidate që garon për kancelare. Bëhet fjalë për Annalena Baerbock, e cila ka mundësinë që të pasojë Angela Merkel, nëse forca e saj politike arrin rezultat të mirë në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit.
Barazia historike është një rol qendror që të gjelbrit do të luajnë për të fituar besimin e qytetarëve.
“Sot është fillimi i një kapitulli tëri në partinë tonë dhe nëse ne ecim mirë, do të jetë edhe për vendin tonë. Kemi një ide të qartë për kancelarinë gjermane. Me kandidimin tim dëshiroj të bëj një ofertë për të gjithë shoqërinë si një ftesë për të udhëhequr shtetin tonë të pasur, fuqishëm dhe divers drejt një të ardhmeje të mirë. Kjo kërkon ndryshime dhe ne mund t’i bëjmë ato”. Annalena Baerbock, kandidate për kancelare.

40-vjeçarja Baerbock ka shumë gjasa që të jetë e vetmja grua në garë. Dikur, të gjelbrit janë parë si një grupim hipish me mjekra dhe sandale, tani kjo parti ka shanse reale që të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme të Gjermanisë.
Me konservatorët në kaos mes grindjeve për kandidatin e tyre, ambientalistët mund të jenë forcë e parë në koalicion. Kjo do të mundësonte që Annalena Baerbock të jetë kancelarja e ardhshme e vendit. Kandidatja ka lindur në 1980-ën, po të njëjtin vit kur u themelua dhe Partia e Gjelbër.
Prindërit e morën atë në demonstratat anti-bërthamore dhe e përshkruan fëmijërinë e saj si një miks mes protestave të dhunshme dhe qetësisë në shtëpi. Ndërkohë, sipas sondazheve, të gjelbërit do të fitojnë 22 përqind të votave, të dytët pas bllokut konservator CDU/CSU të Merkel. (A2 Televizion)