Një numër shtetesh amerikane u vunë në izolim, e 1 në 5 amerikanë do të jenë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi.
Konektikat dhe Nju Xhersi i bashkohen Ilinoisit dhe Kalifornisë në urdhërimin e banorëve për të qëndruar në shtëpi, në mënyrë që të parandalohet përhapja e Covid-19. Virusi ka marrë mbi 260 jetë njerëzish dhe ka infektuar mbi 19 mijë të tjerë në SHBA. Të premten Konektikat, Ilinois dhe Nju Jorku njoftuan masat që detyrojnë miliona banorë të qëndrojnë në banesa.
Shumica e vendeve të punës do të mbyllen dhe banorët do të duhet të qëndrojnë në shtëpi, përveç daljeve për në dyqanet ushqimore apo farmaci. Në orët e vona të së premtes presidenti Trump shpalli gjendjen e katastrofës në Nju Jork, çka do të lejojë lëvrimin e fondeve federale.
Kryebashkiaku Bill de Blasio ngriti alarmin se për 2-3 javë Nju Jorku do të ketë ezauruar të gjitha pajisjet mjekësore. (A2 Televizion)