
Rastet e konfirmuara me koronavirus në botë kanë kaluar shifrën e 275 mijë personave, nga të cilët 11400 kanë ndërruar jetë, ndërsa 88 mijë janë shëruar.
Në Kinë, situata është drejt normalitetit total, ku për të dytën ditë radhazi nuk ka pasur asnjë rast të ri të një personi të prekur nga koronavirusi brenda territorit, përveç rasteve të ardhura nga jashtë.
Ndërkohë, situata është mjaft e rëndë në Evropë, ndërsa përhapja e koronavirusit është e madhe edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një ditë më parë, Italia regjistroi një tjetër rekord të zi, ku u raportua për 627 persona të vdekur, ndërsa shumë shqetësues është edhe fakti i personave të rinj të prekur, të cilët në 24 orët e fundit ishin 4670. Po ashtu, edhe në Spanjë situata është dramatike, pasi numri i personave të vdekur ka shkuar më shumë se 1 mijë. (A2 Televizion)