Një takim i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me Erion Veliajn në paraburgimin e Fierit ka sjellë një tjetër përplasje brenda së majtës. Në media u përcoll si një diskutim me tone të larta dhe kërcënime, por kreu i Drejtësisë shprehet se gjithçka ka ndodhur ndryshe.
Pasi pranon vizitën, Gogu shton se gjithçka ka ndodhur të premten, kur ka shkuar jo vetëm në ushtrim të kompetencave të detyrës, por edhe si mik i vjetër, për t'u njohur me kushtet e trajtimit të Veliajt.
“Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni. Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj ‘mesazhet’ që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar”.
Menjëherë pas tij, në profilin e Erion Veliajt në Facebook është publikuar një tjetër reagim, së bashku me një letër që, siç pretendon kryebashkiaku i Tiranës, e ka shkruar me dorën e tij. Në të, ai i cilëson “halucinacione” akuzat se ka organizuar dhe financuar protestat.
“Prano përfshirjen me Flamingot - Studentët ose do të shtohen akuzat për ‘prishje të rendit kushtetues’ nga burgu e do të bësh 100 vjet burg në 313 e 302. Hiq dorë nga Bashkia TR dhe delegoje (te Arbër Hajdari). Mos u këshillo më me Plarent Ndrecën”.
Veliaj thotë se Gogu e takoi rreth orës 22:30 dhe i deklaroi se transferimi nga qelitë e burgut ishte bërë me urdhër. (A2 Televizion)