
Duke folur për pritshmëritë për shator sa i përket integrimit por edhe zhvillimeve rajonale, analisti Ilir Kalemaj në Absolut 4 fokusohet tek protagonizmi i kryeministrit shqiptar.
“Vetë kryeministri Rama ka bërë protagonistin duke bërë ministrin e Jashtëm në këto 4-5 vitet e fundit. Edhe përfshirja e Gent Cakës u bë që Rama të vazhdonte atë detyrë, në një moment që përkonte edhe me të qënurit president i OSBE”, thotë Kalemaj.
Ai kritikon politikën e jashtme të Rams edhe me disa episode konkrete. Sipas tij, “kishim një takim me vendet e Vishegradit, që kanë qenë suportuese për integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Pashë ministrin e Maqedonisë Bujar Osmanit por nuk pashë ministren e jashtme shqiptare”.
Shqipëria sipas tij nuk ka edne kapacitetet teknike për t’ iu përgjigjur skepticizmit të disa vendeve të BE. “ Ne morëm vesh vetëm nga Holanda që kishte tërhequr veton, por nuk morëm vesh nga vende të tjerë skeptike si Franca, Danimarka, Spanja etj. Ne nuk jemi ende gati në kapacitetet tona teknike. Një ditë negociatat do të hapen, por kjo nuk do të thotë se do të jetë e mjaftueshme. Turqia në atë stad ka ndenjur 30 vjet. Protagonisti i tepruar i Ramës i ka lënë pak vend ekipeve të organizuara, sidomos tani që Shqipëria do të jetë edhe pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thotë ai.
Ndërkohë analisti Erlis Hoxha mendon që debati që karakterizon politikën e brendshme në mënyrë të pashmangshme rrezaton edhe në atë të jashtmen.
“Kemi një protagonizëm, ku edhe raportet me kryeministrin e Kosovës paraqiten si një marrëdhënie personale, një personalizëm që nuk sjell asnjë dobi për faktorin shqiptar”, thotë ai në A2. (A2 Televizion)