Analiza e derbit, Inter me grupin më të fortë, Milan zbret me këmbë në tokë

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2021, 14:24 | Futboll
Analiza e derbit, Inter me grupin më të fortë, Milan zbret me

U vlerësua si vendimtar për titullin kampion dhe i tillë rezultoi. Triumfi i Interit në derbin përballë Milanit tregoi shumë, jo vetëm për rrjedhën që ka marrë tashmë kampionati, por edhe cilat janë kapacitetet maksimale të skuadrave.

Milan vinte në derbi pas një ecurie prej dy rezultatesh negative me radhë dhe i duhej të reagonte në ndeshjen më të rëndësishme, gjë që nuk arriti ta bëjë dot. Një humbje e tillë tregon se këmbët nuk arritën t'i përgjigjen asaj çfarë gjithësecili prej futbollistëve të Milanit kishte në kokë dhe dëshironte për të marrë nga kjo përballje.

Automatikisht, skuadra e Piolit rikthehet tanimë në objektivin primar kur nisi sezoni, sigurimi i një vendi në Champions League. Me një distancë prej 4 pikësh nga vendi i parë, Milan sigurisht që nuk do të heqë dorë nga titulli, por kur edhe vendi i pestë është tashmë 6 pikë larg, kuqezinjtë duhet të sigurohen që ky fundsezoni të mos konsiderohet një tjetër dështim.

Në krahun tjetër është Interi, skuadra për t'u mundur në Serinë A dhe ekipi që me plot gojë mund të thuhet se ka grupin më të fortë. Nëse dimri ka qenë gjithmonë i vështirë për ambientin zikaltër, këtë vit është ndryshe.

Të pandalshëm në rezultate, mbrojtje e hekurt, me një kundërsulm vrastar dhe një formë fizike që është thujse e përkryer, Konte ka arritur të gjejë boshtin e duhur të skuadrës dhe i falet ndeshje pas ndeshjeje, një dysheje si Martinez-Lukaku. Një vit më parë, Inter ishte në të nëjtat pozita, por me Juventusin përkrah e që fund do t'i linte shumë mbrapa në garën për titull.

Duke parë dhe mungesën e impenjimeve në Evropë, zikaltrit këtë herë kanë çdo mundësi për të vazhduar me të njëjtin ritëm dhe fati i titullit, është vërtet në dorën e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos