Analiza vjetore e KLSH-së, Leskaj: 25 kallëzime në prokurori gjatë vitit 2019

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2020, 11:26 | Aktualitet
Analiza vjetore e KLSH-së, Leskaj: 25 kallëzime në prokurori

Është zhvilluar në mjediset e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, analiza vjetore e punës së Kontrollit të Shtetit, ku përveç drejtuesve të këtij institucioni, ishte i pranishëm dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.

Kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, gjatë leximit të bilancit të punës së institucionit që ai drejton, tregoi rastet që janë dërguar në prokurori, pas auditimeve të kryera, gjatë vitit që lamë pas.

“KLSH-ja, nga auditimet e kryera në vitin 2019 ka përcjellë 28 kallëzime dhe indicie penale, nga të cilat 25 kanë përfunduar dhe i janë dërguar prokurorisë si kallëzime dhe indicie. Tre raste të tjera janë dërguar për vlerësim në prokurori”, tha Leskaj.

Më tej, kreu në detyrë i Kontrollit të Shtetit, përsëriti thirrjen për nisjen e procedurave për zëvensësimin e tij, duke qenë që mandati i ka përfunduar që në dhjetor të 2018. Leskaj përsëriti edhe njëherë qëndrimin se nuk ka ndërmend të rikandidojë për këtë post.

“I bëj thirrje presidentit, Kuvendit dhe mazhorancës të nxisin procedurat për titullarin e ri të KLSH-së. Unë si kreu i KLSH-së, do të vijoj punën time deri në emërimin e titullarit të ri të këtij institucioni, duke pranuar se nuk do të rikandidoj për një mandat tjetër të KLSH-së”, shtoi Leskaj.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela vlerësoi bashkëpunimin me KLSH-në dhe shtoi se materialet që i dorëzohen nga ky institucion janë komplekse dhe kanë nevojë për më shumë se 50 ditë për përgjigje.

“Prej vitit 2012, Prokuroria e Përgjithshme ka një marrëveshje bashkëpunimi me KLSH-në, lidhur me luftën kundër krimit ekonomik dhe që do të kemi rezultate. Shqetësimi që më është përcjellë nga prokurorët është që materialet janë të një kompleksiteti të vështirë dhe nuk mund të jepet përgjigje në një afat 50 ditor. Do të doja që bashkëpunimi të mos ndërpritet pas paraqitjes së materialit kallëzues”, tha Çela. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos