Anarki në kufi! Kamionistët përleshen me policinë

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2020, 12:46 | Bota

Skena anarkie u panë gjatë mëngjesit të së mërkurës në Kent të Anglisë, ku kamionistët u përleshën me policinë në Portin e Doverit dhe Aeroportin e Manstonit, pasi rrezikojnë të mbeten të bllokuar e të mos arrijnë në kohë për Krishtlindje në shtëpi.

Edhe pse Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë arritur një marrëveshje për kalimin e mjeteve të transportit të mallrave, por mijëra kamionë kanë mbetur në Kent që prej së dielës, në pamundësi për të kaluar kanalin e La Manshit e të vazhdojnë udhëtimin për në Europë.

Marrëveshja thotë që çdo shofer duhet të testohet për Covid-19 me teste të shpejta, por që nuk kanë efikasitet shumë të lartë, raportojnë mediat britanike. Autoritetet duhet të testojnë rreth 6000 shoferë në ditë, çka do të ishte një katastrofë, sipas Sindikatës së Transportit Ndërkombëtar Rrugor.

Shoferët kërkojnë të kalojnë pa iu nënshtruar këtyre kontrolleve, dhe disa prej tyre u përballën edhe fizikisht me policët që nuk i lejonin të kalonin, duke shkaktuar një situatë kaotike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos