PS kërkon zyrtarisht shkarkimin e Presidentit Meta

Nga A2 CNN
17 Qershor 2019, 09:52 | Politikë

Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, dorëzoi në Kuvend kërkesën e mazhorancës për shkarkimin e Ilir Metës si President, pasi anuloi 30 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

https://a2news.com/2019/06/15/kush-firmosi-shkarkimin-e-metes-zbardhen-emrat-e-deputeteve-te-ps/

Më pas, Balla doli në një deklaratë për mediat, duke renditur, sipas tij, shkeljet që ka bërë Meta me vendimin për anulimin e 30 qershorit.

Taulant Balla u shpreh se Presidenti Ilir Meta i ka hequr sovranit të drejtën për të qenë i tillë. Ai tha se Presidenti i njeh vetes atributin e ligjvënësit dhe sovranit.

https://a2news.com/2019/06/10/procedura-e-shkarkimit-te-presidentit-nga-kerkesa-te-komisioni-hetimor-deri-ne-votim/

“Vlerësojmë se Presidenti i ka marrë tagrin Kuvendit. Me dekret, Presidenti i ka zgjatur mandatin qeverisë vendore. Praktikisht, Presidenti i lë në detyrë këto organe, tej mandatit të njohur me Kushtetutë. Këtë atribut e ka vetëm sovrani. Kjo është një kompetencë e ligjvënësit në bërjen e ligjeve. Kjo bie në kundërshtim të hapur dhe flagrantë të Kushtetutës”, tha Taulant Balla.

Si mund të shkarkohet Meta?

Dorëzimi në Kuvend i kërkesës është hapi i parë i procedurës për shkarkimin e një presidenti, së cilës edhe nëse do t’i shkohet deri në fund, do të duhet një kohë shumë e gjatë.

Pas paraqitjes së kërkesës, ajo fillimisht shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve, i cili ka të drejtën e propozimit ose jo të krijimit të një Komisioni Hetimor.

Në rast të krijimit, Komisioni Hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur.

Në përfundim të hetimit, Komisioni Hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Vetëm pasi të mbarojnë të gjithë këto hapa, arrihet në votim në seancë plenare, kur duhet të votojnë pro shkarkimit 2/3 e deputetëve, pra 94 vota. Në fund, vendimi i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, që mund të marrë vendimin për shkarkimin e presidentit pas dekretit që anuloi 30 qershorin. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos