
Një 25-vjeçar nga Elbasani është arrestuar në flagrancë në Shkodër, pasi dyshohet se shiste lëndë narkotike në doza.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkolla të Pastra”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, kanë goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Në pranga është vënë shtetasi me inicialet E. H., 25 vjeç, i cili u kap në afërsi të perimetrit të sigurisë dhe ambienteve të ndryshme në qytetin e Shkodrës. Sipas policisë, ai dyshohet se qëndronte në këto zona me qëllim shitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit fizik, të riut iu gjetën dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)