Ekzekutimi i ish-policit, arrestohen dy të dyshuar 15 muaj pas vrasjes

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazmend Janku
26 Nëntor 2026, 14:55 | Kronikë

Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e shtetasit Frrok Lleshaj, e ndodhur në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, më 4 gusht të vitit 2025.

Të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje janë shtetasit Viçesk Piroli dhe Kristjan Ymeri (Shkambi), të dy të arrestuar nga policia. Për ta, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.

Pista kryesore e hetimit për vrasjen e Frrok Lleshajt është ajo e gjakmarrjes, për shkak të konflikteve të hershme familjare.

Viktima, Frrok Lleshaj, ishte një emër i njohur për policinë, pasi kishte qenë më parë efektiv i Policisë së Shtetit. Ai ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje me dashje të një personi nga Puka.

Një tjetër ngjarje që dyshohet se mund të ketë lidhje me këtë histori daton në fillim të viteve ’90, kur djali i Frrok Lleshajt u vra në Greqi. Pas kësaj ngjarjeje, dyshimet e familjarëve ishin drejtuar ndaj kushëririt të tyre, Dodë Lleshaj, i cili më vonë u vra gjithashtu.

Ndonëse policia ka identifikuar tashmë dy të dyshuar për vrasjen, ende nuk ka të dhëna të qarta se cili ka qenë motivi konkret i krimit, që ndodhi vetëm pak metra larg banesës së Frrok Lleshajt, në fshatin Paçram. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos