“Atje kam vëllain tim”, mundësia e fundit e rusëve për të kaluar në Estoni

Nga Erjon Dervishi
26 Nëntor 2026, 14:12 | Bota

“Atje kam vëllain tim”, mundësia e fundit e rusëve

Radhë të gjata janë vënë re në anën ruse të kufirit me Estoninë. Një reportazh i bërë nga kanali televiziv shtetëror rus RU24 dhe të transmetuar të martën, disa ditë pasi qeveria estoneze tha se kishte vendosur të mbyllte pikat kufitare me Rusinë, tregon radhë të gjata në kufi. 

Raporti i RU24 përfshinte komente nga rusët të cilët thanë se përballeshin me orë të gjata pritjeje për të kaluar kufirin me Estoninë, ndërsa kërkonin të shfrytëzonin një nga mundësitë e fundit për të udhëtuar.

Mijëra njerëz që jetojnë në Estoni kanë familje në Rusi ose anasjelltas, si trashëgimi të epokës sovjetike. Kalimi në Narva, një qytet me shumicë rusishtfolëse në anën estoneze të kufirit, përdoret gjithashtu nga njerëz që udhëtojnë nga vende më të largëta të Evropës për të arritur në Shën Petersburg, i cili është disa orë larg me makinë.

“Po udhëtoj me vëllain tim të madh, vëllai ynë i mesëm vdiq në shtator, nuk patëm mundësi të udhëtonim për funeralin. Ai jetoi atje (në Estoni) dhe vdiq në shtator. Viza ime kishte skaduar, kështu që nuk munda të isha atje në funeral”, thotë një shtetase ruse.

Estonia do të mbyllë pikat kufitare me Rusinë për të paktën gjashtë muaj duke filluar nga 1 dhjetori për arsye sigurie, tha Talini javën e kaluar.

Ajo tha se masa ishte e nevojshme pasi fajësoi shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë GRU për urdhërimin e një sulmi të tentuar me zjarrvënie ndaj prodhuesit të dronëve Threod Systems. Tetë banorë letonezë të dyshuar për kryerjen e tij u arrestuan.

Moska ka mohuar rregullisht akuzat nga autoritetet evropiane për përfshirje në operacione sabotimi. Estonia, një shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe një mbështetëse e fortë e Ukrainës, aktualisht ka pesë pika kalimi ku udhëtarët mund të hyjnë ose të dalin nga Rusia, sipas qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos