
Qeveria anulon të gjitha prokurimet publike, me përjashtim të atyre që kanë lidhje me emergjencën shëndetësore të koronavirusit. Agjencia e Prokurimit Publik ka publikuar një njoftim në faqen zyrtare, ku informon se institucionet shtetërore duhet të marrin masa për të pezulluar gjitha procedurat e prokurimit, përfshirë këtu edhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, për objekte prokurimi të cilat nuk lidhen ngushtësisht me këtë situatë.
“Autoritetet kontraktore duhet të vijojnë procesin e prokurimit vetëm për ato procedura prokurimi që lidhen ngushtësisht me mbulimin e nevojave te dala në kuadër të situatës së shkaktuar nga pandemia Covid 19 dhe që konsiderohen të domosdoshme”, theksohet në njoftimin për shtyp të APP-së.
Gjithashtu, bëhet e ditur se do të pezullohen edhe ato procedura prokurimi që janë në proces, objektet e të cilave nuk lidhen me situatën e shkaktuar nga pandemia, deri në një njoftim të dytë. (A2 Televizion)