“Krizë brenda PS-së, poli sundues po del nga rreshti!”, Nurellari: Shans që nuk duhet humbur

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2026, 21:55 | Politikë

Politologu Adri Nurellari ka paralajmëruar krisje brenda PS-së, e cila sipas tij duhet të shihet si një mundësi për opozitën dhe partitë e tjera. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, Nurellari theksoi se ky presion i ardhur nga protestat po reflektohet edhe brenda elitës. Sipas tij protesta ka sfiduar imazhin e pathyeshmërisë së kryeministrit dhe ky moment nuk duhet humbur.

“Nëse ndodh që jep dorëheqje është i mirëpritur. Ne dimë që është shpallur një datë për zgjedhje nuk duhet humbur ky oportunitet sidomos në kushtet kur protesta ka nxjerrë mbretin lakuriq, ka thyer mitin e imazhin e tij si i pamposhtur. Kjo krisje e presion që ka ardhur nga protestat po reflektohet edhe brenda elitës. Për herë të parë por shohim njerëz të rëndësishëm të qeverisë edhe të polit sundues që janë duke dalë prej rreshti. E kam fjalë këtu për Spiropalin, për Koçekun, kam fjalë për Veliajn së fundmi, ka zëra tani që më parë kanë qenë të paimagjinueshme. Ky është një oportunitet i jashtëzakonshëm që nuk duhet humbur dhe nuk duhet çuar dëm”, tha politologu në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Në këto kushte, Nurellari i bën thirrje partive të vogla që të mos e humbasin këtë mundësi, por të kapërcejnë egot dhe ambiciet personale, duke ndërtuar ura bashkëpunimi për një qëllim të përbashkët.

“Në këtë aspekt duhet që t'i bëhet thirrje, po themi ndërgjegjes edhe përgjegjësisë së partive, sidomos partive të vogla që mund ta shohin dhe si oportunitet për të çuar ose për të ecur pak më pak përpara që të kalojnë e të gëlltisin këtë lloj krenarie dhe ego, këtë ambicie për një të mirë më të madhe siç është Shqipëria dhe mundësia për ta shtuar këtë imazhin e thyeshmërisë, sepse ajo që ka mbajtur ranë prej një kohe të gjatë ka qenë ky imazhi i pamposhtmërisë dhe pathyeshmërisë. Kështu që në këtë aspekt modelet janë aty, duke ndërtuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi. Por edhe zërat e pavarur ta theksojnë, ta shtojnë faktin që ky është një shans i jashtëzakonshëm, është një oportunitet i jashtëzakonshëm që nuk duhet humbur për kapriço, për ambicie të vogla ose për ego personale. Do duhet që secili të heqë diçka nga vetja për të mirë të madhe, siç e kanë bërë këto rastet e mësipërme që përmenda unë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos