Apartamenti në sekuestro, Gjykata Kushtetuese “rrëzon” ish-kryetarin e saj

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2022, 18:03 | Kronikë
Apartamenti në sekuestro, Gjykata Kushtetuese “rrëzon”

Vetting-u e largoi para katër vitesh Bashkim Dedjen nga Gjykata Kushtetuese. Ish-kryetari pësoi dhe një rrëzim tjetër, tashmë nga trupa e përtërirë e Gjykatës që e pat drejtuar.

Kushtetuesja i hodhi poshtë kërkesën e tij për shfuqizimin e tre vendimeve gjyqësore për vënien nën sekuestro të një apartamenti në plazhin e Golemit. Apartamenti në pronësi të vëllait të Bashkim Dedjes u sekuestrua me kërkesë të SPAK-ut, që ka dyshime se pronari i tij i vërtetë është ish-gjyqtari.

“Ngrirja” e kësaj pasurie u bë për llogari të hetimit të Dedjes për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, akuzë për të cilën aktualisht është i pandehur në Gjykatën e Posaçme. Dedja i kërkoi Kushtetueses prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme, të Apelit e të Gjykatës së Lartë dhe kthimin e dosjes për rigjykim në Shkallën e Parë, ose në Apel, me pretendimin se i ishte cenuar e drejta e një procesi të rregullt ligjor.

Gjyqtarët kushtetues arsyetonin në vendim se vendimi i sekuestrimit është i përkohshëm dhe nuk cenon thelbin e së drejtës së pronës, pasi në çdo kohë kërkuesit mund të kërkojnë shfuqizimin e masës. Po ashtu, referuar faktit se SPAK ka kërkuar konfiskimin e kësaj pasurie, Kushtetuesja vlerëson se kërkuesit kanë ende mjete në dispozicion që parimet e të drejtat e pretenduara si të cenuara gjatë sekuestros t’i shërojnë nëpërmjet procedurës së konfiskimit, që ka natyrë përfundimtare.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos