
Policia e Lezhës ka mundur të shmangë një ngjarje kriminale në familje dhe ka vënë në pranga 40-vjeçarin. Pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kanoste me armë gjahu familjarët e tij dhe se po i dhunonte ata, policia ka ndërhyrë dhe ka vënë në pranga 40-vjeçarin me iniciale L.L., banues në Rrilë të Lezhës.
“Ky shtetas, ka kanosur në banesën e tij me armë gjahu, familjarët e tij, ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre dhe iu ka dëmtuar automjetet që ata kishin në pronësi. Nga veprimet e deritanishme hetimore, ka rezultuar se shtetasi L. L. iu kishte vjedhur familjarëve të tij, sende personale dhe i kishte shitur”.
Mbi të rëndojnë tri akuza ajo e “Mbajtjes pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, "Dhuna në familje" dhe "Shkatërrimi i pronës".
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua arma e gjahut që u përdor për kanosjen. Shtetasi i arrestuar e mbante armën e gjahut, pa autorizimin përkatës në emër të tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)