
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi dënimin me 8 vjet e 8 muaj burg për Gentian Malindin, i akuzuar për trafikimin 137 kg kokainë nga Ekuadori, që u zëvendësua me oriz në Portin e Pireut.
Malindi u fajësua për veprat penale të "trafikut të narkotikëve" dhe "grupit të strukturuar kriminal". Episodi kriminal për të cilin u fajësua Malindi u shënua në shtator të vitit 2019. Sasia e drogës ishte fshehur në një kontejner të nisur nga Ekuadori me destinacion final portin e Durrësit.
Prania e saj në kontejner u zbulua nga autoritetet dhe gjatë transitit në portin e Pireut në Greqi, sasia u zëvendësua me oriz. Për të njëjtën linjë trafiku me herët janë dënuar me nga 18 vite burg Ardian Bega dhe Altin Myslihaka. (A2 Televizion)