Apeli lë në burg kunatin dhe ish-shoqëruesin e Rezart Taçit

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2021, 13:35 | Kronikë
Apeli lë në burg kunatin dhe ish-shoqëruesin e Rezart

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Artur Ballën dhe Bledar Lilon, kunatin dhe ish-shoqëruesin e Rezart Taçit. Balla e Lilo akuzohen për “pastrim parash” e  “grup të strukturuar kriminal”. Ata dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorë të Taçit në një skemë të pastrimit të 18,3 milionë eurove.

Taçi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pasi dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal që po pastronte paratë e Mafies italiane në Shqipëri. SPAK njoftoi caktimin e një mase sigurie “arrest në burg” në mungesë nga Gjykata e Posaçme për biznesmenin e hidrokarbureve, që jeton prej vitesh jashtë vendit.

https://youtu.be/i1AIYoXy8mQ

Paralelisht, drejtësia e vendit fqinj caktoi masa sigurie për italianët e dyshuar si të përfshirë në pastrimin e parave në disa shtete të ndryshme, mes të cilëve personazhe të dyshuar për lidhje me “Cosa Nostra”-n.  Sipas SPAK, ka prova se skema financiare e goditur është drejtuar nga sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo, italiani tjetër me iniciale I. Z, kontabilisti Fabio Petruzzella, vëlla i një magjistrateje, Daniele Castagalli dhe biznesmeni shqiptar Rezart Taçi.

Ndonëse ndodhej jashtë vendit, Taçi ka angazhuar të besuarit e tij në Shqipëri Balla e Lilo. Sipas hetimit shqiptaro-italian, milionat e eurove ishin transferuar në Shqipëri, ku anëtarët vendas do të kryenin disa transaksione bankare, të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht. Procesi është ndërprerë, pasi shuma prej 18.3 milionë euro, e gjitha në një llogari, është sekuestruar nga SPAK, para se të copëzohej apo transferohej.

https://a2news.com/2021/11/12/urdher-arresti-i-thacit-burimi-i-parave-nga-90-vjecari-i-denuar-nga-giovanni-falcone/

Operacioni u përcoll me bujë edhe në vendin fqinj, për shkak se sipërmarrësi Zummo, ka qenë ortak i një ish-kryebashkiaku italian të lidhur me mafian. Në vitin 2001, atij i ishin sekuestruar 150 milionë euro, pas dyshimeve për “pastrim parash”, ndërsa në vitet 1980, ai ishte hetuar edhe nga prokurori i antimafies, Giovanni Falcone. Ndërsa për biznesmenin Taçi, kjo është përballja e radhës me drejtësinë. Në vitin 2016, ai u shfajësua nga Apeli i Tiranës lidhur me dyshimet për evazion fiskal gjatë kohës që drejtonte ARMO-n. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos