Pandemia nuk i ndali të rinjtë shqiptarë që të aplikonin për azil në vendet e Bashkimit Europian. Gjatë vitit pandemik, sipas Eurostat, 2,125 të mitur nga Shqipëria kërkuan azil në vendete BE. Sociologët thonë se përtej aspektit ekonomik, humbja e shpresës detyron të rinjtë të braktisin vendin.
Pavarësisht pandemisë dhe masave kufizuese i pasojë e saj, më shumë se 2 mijë fëmijë shqiptarë aplikuan për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian e Zvicër gjatë vitit të shkuar.

Të dhënat e publikuara nga Instituti Europian i Statistikave tregojnë se aplikimet e të miturve nga Shqipëria përbënë 12 për qind të totalit, duke e renditur vendin të tretin pas Turqisë dhe Rusisë për sa i përket numrit më të lartë të kërkesave për azil.

Po, çfarë pasoja sjell ikja e të rinjve për jetën ekonomike dhe sociale të vendit? “Ata që emigrojnë janë njerëz që i duhen këtij vendi, njerëz që janë integruar dhe kanë patur mundësi të bëjnë karrierë në vendet europiane, dhe kur kjo ndodh atje aq më shumë i duhen një vendi si i yni që ka kaq pak fuqi intelektuale dhe profesionale” thotë për A2 analisti dhe sociologu Ergys Mërtiri.

Nga 2.125 aplikime për azil, Franca ishte destinacioni i preferuar për fëmijët shqiptarë, kjo si pasojë edhe e praktikave të lehtësuara sociale që ka ndërmarrë ky vend.
Në Francë u drejtuan 44% e totalit të aplikimeve, ndjekur nga Gjermania me 22.6%, Greqia 11.3%, Belgjika 6.8%, Italia (5.8%) dhe Suedia (3.7%). (A2 Televizion)