
Shqipëria është i vetmi vend në Rajon, Europë e madje në botë, që ndonëse minimumin jetik e ka të përcaktuar si një normë ligjore që buron nga të drejtat kushtetuese të qytetarëve, nuk ka një shifër fikse zyrtare të përcaktuar.
Por, pse është e rëndësishme përllogaritja e këtij treguesi? “Duhen kryer studime të thelluara mbi nevojën që ka vendi për të realizuar minimumin jetik dhe për ta zbatuar”, thotë pedagogia Teuta Nunaj.
Institucioni i Avokatit të Popullit hodhi për konsultim publik të dielën draft-raportin e ri për minimumin jetik në Shqipëri. Sipas dokumentit, vlera e përllogaritur në këtë studim të minimumit jetik të nevojshëm në Shqipëri, është 17 875 lekë.
Kjo vlerë është 9,9% më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37,5 % më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike.
“Në këtë rast, do të thotë që do të ndryshohet niveli i pensioni dhe nuk mund të ofrohet një ndihmë ekonomike nën nivelin jetik dhe nuk mund të ketë një pagë minimale nën nivelin e minimumit jetik”, thotë Nunaj.
Një studim i Bankës Botërore, me të dhëna të përditësuara deri në vitin 2017, doli në përfundimin se 4 në 10 shqiptarë jetonin me më pak se 5,5 dollarë në ditë, ndërsa një raport i fundit nga Eurostat diktoi se Shqipëria në vitet 2018 dhe 2019 regjistroi një të ardhur mesatare vjetore për frymë në vlerën e 4500 eurove, 700 më pak se Maqedonia e Veriut dhe 1600 më pak se Serbia. (A2 Televizion)