Sot në mbrëmje Dinamo shpreson te përmbysja e madhe edhe pse në letër misioni është thuajse i pamundur. Pas disfatës 3-0 në takimin e parë , kryeqytetasit tani presin në Tiranë polakët e Jagiellonias për ndeshjen e kthimit në Play Off-in e Conference League.
Skuadra mbylli përgatitjet dhe tani është gati për polakët ndonëse grupi nuk është i plotë. Qefalija dhe Dita janë bashkuar me grupin por nuk besohet se trajneri Daja do ti aktivizoje dy lojtaret qe nga minuta e pare.
Në konferencën për shtyp, trajneri kryeqytetas, theksoi se nuk ka presion, djemtë do të japin maksimumin për një rezultat pozitiv.
“Sigurisht që përballë kemi një ekip shumë të fortë që u pa edhe në ndeshjen e parë. Në edicionin e kaluar u eliminua në çerekfinale nga Betis. Duke i shtuar kësaj nivelin e vështirësisë se edhe ne kemi mungesat tona, qoftë me lojtarë që janë larguar, e që nuk janë zëvendësuar, se edhe pse kanë ardhur të rinj, duhet kohë që të ingranohen në pjesën tjetër të grupit. Kemi lojtarë që janë afruar në seancën e djeshme por vijnë nga një mungesë një apo dyjavore, që do të thotë që edhe nëse nesër i përdorim, i përdorim në minutazh të kufizuar. Kështu që do të bëjmë më të mirën e mundshme për të bërë një ndeshje që të paktën, të prezantojmë sa më mirë të jetë e mundur veten tonë. Duke parë e duke bërë pastaj, se kurrë mos thuaj kurrë në futboll, por është një mision shumë i vështirë për ne.”
Dueli Dinamo-Jagellonia do të luhet sot në mbrëmje në orën 20:45 në Arenën Kombëtare. (A2 Televizion)