
Problemit të mbetjeve në Durrës duket se po i vjen fundi. Nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave, qeveria ka vendosur që të bashkëfinancojë bashkitë e këtij qarku për trajtimin e mbetjeve urbane, pasi më herët ato kishin ngritur duart në pamundësi monetare për të përballuar kostot e këtij procesi.
Pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të Qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara.
Në kushte të tilla, pushteti qendror kërkon nga ai vendor që të mos humbasë kohë dhe të nisë studimet përkatëse.
Bashkitë e Qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve. (A2 Televizion)