Ukraina u zgjua mes bombardimeve intensive të Rusisë këtë të enjte, të cilat vranë të paktën 17 vetë, përfshirë 4 fëmijë në kryeqytetin Kiev, në një sulm që, sipas presidentit Zelenski, ishte përgjigjja e Moskës ndaj diplomacisë. Që në agim, ekipet e shpëtimit gërmuan përmes godinave të shkatërruara në Kiev, ku trupat u nxorën nga rrënojat. Të paktën 38 vetë mbetën të plagosur në valën e sulmeve që zgjati disa orë dhe që dëmtoi ndërtesa në 7 distrikte të kryeqytetit, përfshirë edhe selinë e misionit të BE-së në Ukrainë dhe atë të Këshillit Britanik.
Përreth vendit, ushtria ukrainase njoftoi se 13 lokacione ishin goditur nga sulmet e Rusisë, përfshirë edhe një kompleks të operatorit ukrainas të energjisë, Ukrenergo. Teksa bëri thirrje për shtim të sanksioneve ndaj Moskës, presidenti Zelenski u shpreh: “Rusia zgjedh raketat balistike në vend të tryezës së negociatave. Vazhdon të vrasë në vend që t’i japë fund luftës”.
Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes në Rusi bëri të ditur se kishte goditur infrastrukturë ushtarake-industriale dhe baza ajrore ushtarake, shkruan A2 CNN. Në Kiev u dëgjuan disa shpërthime të forta, teksa re tymi u ngritën mbi qiellin e natës dhe dronë u panë të vërtiteshin mbi qytet. Kryebashkiaku Vitali Klitçko e përshkroi këtë si sulmin më të madh në Kiev gjatë muajve të fundit.
Europa reagoi me zemërim ndaj aktit të fundit të Rusisë, me Britaninë e Madhe që thirri ambasadorin rus në shenjë proteste. Bashkimi Europian njoftoi një hap të ngjashëm, me shefen e diplomacisë së bllokut, Kaja Kallas, që tha se sulmet kishin treguar se Rusia kishte bërë zgjedhjen për të përshkallëzuar luftën dhe për të tallur përpjekjet për paqen.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se sulmet e pakuptimta të Moskës po sabotonin shpresat për paqen. (A2 Televizion)