
Gjigandi i teknologjisë, Apple, ka lajmëruar një event më datë 25 mars në zyrat e tij qendrore në Cupertino të Kalifornisë, ku pritet të lançojë një shërbim video dhe televizioni. Kompania amerikane duket se do të ndjekë hapat e rivalëve Netflix dhe Amazon, duke krijuar një shërbim të ngjashëm, që do të ofrojë filma e seriale në bazë të abonimit.
Apple ka sugjeruar prej kohësh se kishte në plan një shërbim video, duke shpenzuar 2 miliardë dollarë në Hollywood për të prodhuar përmbajtje dhe duke firmosur marrëveshje me yje si Oprah Winfrey.
Kjo nismë shihet si e ardhmja e gjigandit, për shkak të rënie së shitjeve të iPhone-ëve, ndaj investitorët po kërkojnë një burim tjetër të ardhurash, siç bënë me transformimin e Apple Music që tashmë rivalizon edhe Spotify. Ky pritet të jetë me shumë gjasa eventi i parë i Apple, i cili nuk është i fokusuar në materiale fizike, por në një shërbim. (A2 Televizion)