
Një vaksinë e personalizuar kundër kancerit, e zhvilluar nga kompanitë Moderna dhe Merck, ka treguar rezultate premtuese në uljen e rrezikut të rikthimit të melanomës ose të vdekjes.
Sipas rezultateve të një studimi të ri, kombinimi i vaksinës me ilaçin Keytruda uli me 42% këtë rrezik gjatë një periudhe dyvjeçare, krahasuar me trajtimin vetëm me Keytruda.
Studimi përfshiu më shumë se 1,130 pacientë me melanomë në fazat 2B deri në 4, të cilëve u ishin hequr tumoret përmes ndërhyrjes kirurgjikale.
Një pjesë e pacientëve morën vaksinën e personalizuar, të quajtur intismeran, së bashku me Keytruda, ndërsa grupi tjetër mori një placebo dhe të njëjtin ilaç, shkruan revista Time.
Vaksina krijohet në bazë të analizës gjenetike të tumorit të secilit pacient dhe përdor teknologjinë e ARN-së mesazhere (ARNm) për të mësuar sistemin imunitar të njohë proteina specifike të qelizave kancerogjene. Në këtë mënyrë, sistemi imunitar nxitet të identifikojë dhe të sulmojë qelizat tumorale.
Sipas studiuesve, rezultatet e studimit të ri konfirmojnë të dhënat premtuese të një studimi të mëparshëm, ku kombinimi i vaksinës me Keytruda kishte ulur me 49% rrezikun e rikthimit të kancerit ose vdekjes gjatë pesë viteve.
Megjithatë, të dhënat për mbijetesën e përgjithshme të pacientëve që morën terapinë e kombinuar nuk janë ende të disponueshme. (A2 Televizion)