Një incident i frikshëm ajror ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Aeroportin Sultan Ahmad Shah në Kuantan, Malajzi, kur një avion luftarak Boeing F/A-18D Hornet u përfshi nga flakët dhe u rrëzua pak sekonda pas ngritjes.
Sipas dëshmitarëve, avioni u pa duke u nisur me shpejtësi nga pista, ndërsa nga pjesa e pasme dilnin flakë të dukshme. Vetëm pak çaste më vonë, ndodhi një shpërthim i fuqishëm që u dëgjua deri një milje larg, shkruan A2 CNN. Të dy pilotët që ndodheshin në bord arritën të dilnin në kohë dhe u dërguan menjëherë për ekzaminime mjekësore në spitalin Tengku Ampuam Afzan. Forcat Ajrore Mbretërore Malajziane konfirmuan incidentin, duke deklaruar se ndodhi në orën 21:05 të datës 21 gusht dhe se po ndërmerren masa urgjente për të hetuar shkakun.
Një dëshmitar që ndodhej pranë bazës ajrore tha për agjencinë Bernama: “Pas shpërthimit, pashë flakë dhe tym të dendur që ngrihej nga aeroporti. Në fillim zjarri ishte i vogël, por më pas shpërtheu dhe u bë shumë i madh”. (A2 Televizion)