Momente paniku janë shënuar të shtunën në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Denverit, ku një avion i kompanisë American Airlines u detyrua të ndalonte menjëherë gjatë nisjes, pasi tym i dendur nisi të dilte nga pjesa e poshtme e mjetit fluturues.
Pamjet filmike të publikuara nga dëshmitarë okularë tregojnë pasagjerët duke evakuuar avionin përmes rrëshqitëseve të emergjencës, si nga dera e përparme ashtu edhe nga ajo e pasme, disa prej të cilëve mbanin fëmijë të vegjël në krahë.
Në një deklaratë për agjencinë Reuters, American Airlines konfirmoi se avioni kishte pësuar një “defekt mekanik gjatë përgatitjes për nisje”, i cili lidhej me një nga gomat e avionit. Kompania bëri të ditur gjithashtu se të gjithë 173 pasagjerët dhe 6 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan të sigurt dhe se mjeti fluturues iu dorëzua menjëherë ekipit të mirëmbajtjes së kompanisë.
Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar i Denverit postoi në rrjetin X (ish-Twitter) se Ekipet e Reagimit të Shpejtë dhe Departamenti i Zjarrfikësve të qytetit ndërhynë menjëherë për të menaxhuar situatën në fluturimin AA3023.
Sipas informacionit zyrtar, pesë persona u vlerësuan në vendngjarje për lëndime të mundshme dhe një prej tyre u transportua në spital për kujdes mjekësor.
Departamenti i Zjarrfikësve të Denverit konfirmoi në një tjetër postim se kishte shuar një zjarr në vendin e ngjarjes, ndërkohë që avionit i ishte ndaluar nisja në mes të pistës.
Sipas faqes për ndjekjen e fluturimeve Flightradar24.com, fluturimi AA3023, i cili ishte parashikuar të nisej nga Denveri drejt Majamit rreth orës 13:15 me orën lokale, u ndal papritur në pistë për shkak të incidentit.
Hetimet mbi shkakun e saktë të zjarrit dhe defektit teknik janë në zhvillim. (A2 Televizion)