Kështu duket një rrjetë masive që strehon rreth 110 mijë merimanga. Këto janë pamje nga shpella e zbuluar në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë ku u gjend edhe rrjeta më e madhe e merimangave, e zbuluar deri më sot.
“Superqyteti” i merimangave u zbulua për herë të parë nga një ekip ndërkombëtar që eksploron shpella në vitin 2022.
Pas vitesh studimesh, kërkuesit vlerësojnë tashmë se shpella e squfurit shërben si shtëpi për rreth 110 mijë merimangat që formojnë një rrjetë prej 100 metra katrorë.
Në të ndodhen dy lloje të ndryshme merimangash, secila me ndryshime gjenetike nga lloji i tyre që jeton në sipërfaqe të tokës.
Shkencëtarët thonë po ashtu, se kjo është hera e parë që këto merimanga, që zakonisht bëjnë jetë solitare, shihen të formojnë koloni. Një zbulim që ekipi zbulues e cilëson si të jashtëzakonshëm.
Studiuesit mendojnë se arsyeja që Shpella e Squfurit është kaq shumë e populluar me merimanga, është numri po ashtu i madh i mushkonjave që gjenden në thellësitë e saj, duke ofruar një burim të bollshëm ushqimi për araknidët. (A2 Televizion)
