“Festuan sulmet e Iranit”, Izraeli disiplinon palestinezët e burgosur

Nga A2 CNN
16 Qershor 2025, 17:23 | Kapur në kamera

Autoritetet izraelite kanë njoftuar se kanë ndërmarrë një operacion në qelitë e burgjeve pasi zyrtarët dëgjuan të burgosur duke shprehur “gëzim” gjatë një vale sulmesh ajrore iraniane kundër Izraelit. “Së fundmi, gjatë përshkallëzimit të përleshjeve, u dëgjuan zëra festimesh nga të burgosur kriminelë që janë banorë të territoreve palestineze” në një burg në qendër të Izraelit, deklaroi të dielën Shërbimi i Burgjeve.

Njësia elitare “Metzada” u thirr për të bastisur qelitë dhe për të nxjerrë të përfshirët. Në një video të publikuar nga vetë shërbimi i burgjeve, ushtarë të armatosur shihen duke hyrë në qeli me armë të drejtuara drejt të burgosurve, të cilët qëndrojnë të shtrirë në dysheme, shkruan A2 CNN. Një prej tyre shihet i shtrirë përmbys teksa një oficer ia lidh duart me fasheta plastike, një tjetri i mbyllin sytë. Më pas, disa burra nxirren nga qelitë të përkulur, me duart e lidhura pas shpine.

Autoritetet thanë se të burgosurit janë dërguar përpara një tribunali disiplinor dhe janë “ndëshkuar më pas”, pa dhënë detaje të tjera mbi natyrën e ndëshkimeve.

Ky veprim është pjesë e politikës së “tolerancës zero” të shpallur nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, ndaj çdo mbështetjeje për armiqtë e Izraelit. Gjatë një vizite në qytetin Petah Tikva, ku katër persona u vranë nga sulmet iraniane natën e kaluar, Ben Gvir përsëriti se autoritetet do të godasin çdo shfaqje gëzimi për sulmet ndaj Izraelit. “Ka tolerancë zero për këtë çështje. Policia ka arrestuar mjaft persona, dhe unë i mbështes — kjo është pikërisht politika ime,” tha ai të hënën.

Ministri i ekstremit të djathtë përmendi gjithashtu "pamjet" e gardianëve të burgjeve duke hyrë me armë në qeli për të "rivendosur rendin". “Kjo është politika që dua”, tha ai. “Tolerancë zero për shfaqjet e gëzimit. Tolerancë zero për ata që mbështesin Iranin. Mbështetja për Iranin është mbështetje për terrorizmin, dhe kushdo që mbështet terrorin duhet të arrestohet”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos