Mossadi publikon videon: Ja si u kryen sulmet nga brenda territorit iranian

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 16:24 | Kapur në kamera

Agjencia Izraelite e Spiunazhit, Mossad, ka publikuar një video ku tregon dy agjentë, në tokën iraniane, duke vënë në funksion sisteme të sulmit të precizonit të lartë, që sipas saj, shkatërroi sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore.

Shkatërrimi i këtyre sistemeve mundësoi sulmin në impiantet bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit, që u realizua mëngjesin e të premtes. Edhe pse SHBA tha se nuk ishte përfshirë në këtë sulm, presidenti Donald Trump mbrojti Izraelin dhe paralajmëroi Iranin të pranonte marrëveshjen bërthamore.

Ndërkohë, ambasadori i Iranit në OKB kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për të diskutuar mbi atë që ndodhi. “Izraeli ka kaluar çdo kufi dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që këto krime të mos ndëshkohen”, tha ai.

Çfarë po ndodh mes Izraelit dhe Iranit?

Izraeli ndërmori sulme të paprecedenta ndaj Iranit, duke shënjestruar programin bërthamor dhe udhëheqësit ushtarakë të vendit, në një operacion që kryeministri Benjamin Netanyahu tha se do të zgjasë për shumë ditë. Ushtria izraelite njoftoi se ka përdorur 200 avionë luftarakë. Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi mbi 100 dronë drejt territorit izraelit, sipas ushtrisë së Izraelit.

Presidenti Donald Trump i tha CNN-it se SHBA “natyrisht” mbështet Izraelin dhe e quajti atë ndaj Iranit gjatë natës “një sulm shumë të suksesshëm”. Trump paralajmëroi Iranin më herët sot të pranojë një marrëveshje bërthamore “para se të mos mbetet asgjë”, duke sugjeruar se sulmet e ardhshme të Izraelit ndaj vendit mund të jenë “edhe më brutale”.

Sipas informacioneve të deritanishme, katër figurat kryesore iraniane të vrara nga sulmi i Izraelit janë: Gjeneral Major Hossein Salami – Komandanti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Gjeneral Major Mohammad Bagheri – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Ali Shamkhani – Ish-Këshilltar i Lartë për Sigurinë Kombëtare dhe Amir Ali Hajizadeh – Komandant i Forcave Ajrore të IRGC-së.

Netanyahu deklaroi se “Operacioni Luani në Ngritje” goditi objektin kryesor të pasurimit në Natanz, shkencëtarë bërthamorë dhe atë që e quajti “zemra e programit të raketave balistike të Iranit”. Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, gjashtë shkencëtarë bërthamorë u vranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos