Duken si skena nga një film aksion, realizuar në studiot e Hollivudit, por janë pamjet e një ndjekjeje spektakolare me makina, të ndodhura të enjten në Ohio, SHBA. Ngjarja nisi kur autoritetet tentuan të ndalonin një kamionçinë që po qarkullonte pa targa të dukshme regjistrimi, shkruan A2 CNN. Në vend që të ndalej, shoferi vendosi të arratiset, duke nisur një ndjekje të rrezikshme në autostradë.
Gjatë ndjekjes, oficerët e zyrës së sherifit përdorën mjetin e njohur si “stop sticks” për të shfryrë gomat e kamionit, por mjeti vazhdoi lëvizjen. Situata u bë edhe më kaotike kur një person i vendosur në pjesën e pasme të kamionit filloi të hidhte dërrasa në rrugë, me qëllim që të godiste apo dëmtonte automjetet e policisë që ishin në ndjekje.
Në një moment, kamioni kaloi në anën e gabuar të autostradës dhe përplasi përballë një automjet tjetër, duke shkaktuar një aksident me gjithsej gjashtë automjete të përfshira. Katër persona që ndodheshin në kamion u përpoqën të largoheshin me vrap, por të gjithë u kapën nga policia pak më vonë.
Sipas autoriteteve lokale, të dyshuarit pritet të përballen me akuza të rënda, përfshirë posedim të lëndëve narkotike dhe sulm të rënduar me automjet. Fatmirësisht, personat e tjerë të përfshirë në aksident janë jashtë rrezikut për jetën dhe janë trajtuar për plagë të lehta. (A2 Televizion)