Momenti kur dy persona shpëtohen me helikopter, pasi kishin mbetur të bllokuar në mes të një lumi, është kapur në kamera. Incidenti ndodhi më 2 qershor, në lumin Carson në Kaliforni, kur dy persona u përpoqën të kalonin lumin me makinë në një pjesë të cekët, por u zunë në befasi nga rrjedha e fortë e ujit. Për fat të mirë, ata u shpëtuan nga njësia e Operacioneve Ajrore të Patrullës së Autostradave të Kalifornisë (CHP), shkruan A2 CNN.
Pamjet e publikuara tregojnë një nga personat e shpëtuar dhe një pjesëtar të ekipit të emergjencës duke qëndruar mbi çatinë e makinës, ndërsa uji i ftohtë dhe i rrëmbyeshëm vërshon rreth tyre. Një helikopter shpëtimi e ngriti drejtuesin e mjetit nga vendi i ngjarjes dhe e zbriti në një zonë të sigurt buzë lumit.
Sipas Zyrës së Sherifit të zonës, lumi Carson ka rrjedhje të fortë dhe të rrezikshme këtë periudhë, dhe ky është automjeti i dytë brenda pak javësh që mbetet i bllokuar në përpjekje për ta kaluar lumin. “Ju lutemi, tregoni kujdes dhe merrni vendime të mençura. Kalimi i lumit në këtë kohë nuk këshillohet”, paralajmëroi zyra e sherifit.
Fatmirësisht, falë profesionalizmit të njësive të shpëtimit, kjo përpjekje e rrezikshme nuk përfundoi me pasoja tragjike. Autoritetet vijojnë të bëjnë thirrje për kujdes maksimal dhe shmangien e rrezikimeve të panevojshme në natyrë. (A2 Televizion)